Fëmijët nga komuniteti romë në Evropë përballen me nivel të lartë privimi – UNICEF

Të paktën tri të katërtat e fëmijëve nga komuniteti romë në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi nuk kanë strehim adekuat, sipas një raporti të ri të UNICEF-it

15 Prill 2024
English
UNICEF/2023/S.Karahoda

GJENEVË, 15 prill 2024 – Fëmijët nga komuniteti romë në katër vende dhe territore evropiane përballen me një mori privimesh, sipas një raporti të ri të publikuar sot nga UNICEF-i.

Thyerja e barrierave: Një raport analitik për fëmijët dhe gratë rome në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi vë në dukje se fëmijët nga komuniteti romë kanë nivel të ulët imunizimi dhe shkallë më të ulët të ndjekjes dhe përfundimit të arsimit parashkollor dhe shkollor në krahasim me mesataret kombëtare.

Të paktën tri të katërtat e fëmijëve romë jetojnë në banesa të klasifikuara si të errëta, me rrjedhje ose të kalbura, ose në banesa pa qasje në tualet ose dush. Në Kosovë, rreth 85 për qind e fëmijëve që jetojnë në vendbanimet rome kanë strehim joadekuat.

“Duke filluar qysh nga lindja, fëmijët nga komuniteti romë vazhdojnë të privohen sistematikisht nga të drejtat e tyre themelore. Qasja e kufizuar në arsim, kujdes shëndetësor dhe kushte të përshtatshme jetese po e vënë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Veprimet e bashkërenduara nga qeveritë për të krijuar sisteme gjithëpërfshirëse shëndetësore, arsimore dhe sociale si dhe investimet janë kritike për t'i dhënë fund pabarazive të gjata të përjetuara nga fëmijët nga komuniteti romë në të gjithë Evropën”.

Më pak se gjysma e fëmijëve 24–35 muajsh nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë plotësisht të imunizuar, krahasuar me tri të katërtat e fëmijëve në përgjithësi. Raporti gjithashtu vë në dukje një ulje të shkallës së vaksinimit tek fëmijët në komunitetet rome në Maqedoninë e Veriut.

Në të katër vendet dhe territoret e paraqitura në raport, fëmijët nga komunitetet rome kanë më pak gjasa të shkojnë në shkollë, të mos e braktisin shkollën dhe të arrijnë zotësinë në aftësitë e leximit dhe numërimit në krahasim me fëmijët nga komunitetet që nuk janë rome.

Raporti thekson se edukimi i hershëm mund të rrisë gatishmërinë e fëmijëve për shkollën fillore. Për shembull, në Kosovë, vijimi i klasës së parë të shkollës fillore në mesin e fëmijëve nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian, të cilët ndoqën një program të edukimit në fëmijërinë e hershme gjatë vitit të kaluar, u rrit nga 54 për qind sa ishte në vitin 2013 në 73 për qind në vitin 2019. Në Mal të Zi vihet re një rritje nga 24 për qind sa ishte në vitin 2013 në 45 për qind në vitin 2018.

Pavarësisht privimeve që ende vazhdojnë të mbizotërojnë në komunitetin romë, është shënuar progres viteve të fundit. Edhe pse grave nga komunitetet rome ende u mungon kujdesi i mjaftueshëm antenatal dhe postnatal, prapë se prapë ka pasur një rritje të kujdesit më të mirë për nënat gjatë lindjes. Gjithashtu është shënuar rritje në regjistrimin e lindjeve të fëmijëve nën pesë vjeç dhe rritje të qasjes në sigurimin shëndetësor tek fëmijët. Në raport janë theksuar gjithashtu përmirësime sa i përket qasjes në shkollim, energji elektrike, ujë të sigurt dhe transfere sociale të parave të gatshme.

UNICEF-i përgëzon angazhimin e qeverive të të katër vendeve dhe territoreve të paraqitura në raport për të mbledhur të dhëna për fëmijët nga komuniteti romë pasi kjo ofron një pasqyrë të privimeve me të cilat përballen fëmijët romë në të gjithë rajonin.

Raporti përmban një sërë rekomandimesh mbi zgjedhjet kryesore të politikave të nevojshme për t’i adresuar pabarazitë dhe për të siguruar qasje në shërbimet universale, të cilat të gjitha mbështeten në veprime bashkëpunuese nga qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Rekomandimet variojnë nga rritja e disponueshmërisë së të dhënave të ndara; tek ndihma me para të gatshme; përfshirja sistematike e ndërmjetësve romë në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe mbështetja e mbulimit të kujdesit shëndetësor për romët pa dokumente, veçanërisht për vaksinim; e deri tek fuqizimi i sistemeve kombëtare arsimore dhe ndërgjegjësimi i prindërve mbi rëndësinë e arsimit.

UNICEF-i punon në të gjithë Evropën për t’i mbështetur fëmijët dhe familjet nga komunitetet rome. Kjo përfshin ofrimin e mbrojtjes thelbësore të fëmijëve, mbrojtjes sociale, shërbimeve shëndetësore dhe të zhvillimit në fëmijëri të hershme, duke përfshirë transfertat e parave të gatshme, mundësitë e arsimimit dhe programet e vizitave në shtëpi.

###

Shënim për redaktorët

Raporti paraqet analizën e të dhënave dytësore dhe krahason të dhënat e publikuara të anketës, të qasshme përmes www.mics.unicef.org.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme